- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Duke kujtuar skenën muzikore ish-jugosllave

Kategoritë: Europa Lindore e Qendrore, Bosnjë Herzegovina, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Sllovenia, Arsimi, Art e Kulturë, Historia, Idetë, Media e qytetarëve, Muzika
[1]

Biletë për një koncert të grupit rock Ekaterina Velika [2] (1982-1994). Burimi: Faqja në Facebook e Ex-Yu Rock Center [3], e përdorur me leje.

Ky artikull nga Ena Rizvić u botua fillimisht në Balkan Diskurs [4], një projekt i Qendrës Kërkimore të Post-Konfliktit [5] (PCRC). Një version i redaktuar është ripublikuar nga Global Voices sipas një marrëveshjeje për ndarjen e përmbajtjes.

Duke u frymëzuar nga Salla e Famës së Muzikantëve [6], amerikani Will Richard, nisi ngritjen e qendrës EX-Yugo Rock [7] (EYRC) në Sarajevë. Qëllimi i EYRC është të nderojë dhe festojë rock and roll-in jugosllav si dhe skenën muzikore bashkëkohore në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në rajon.

Dashuria e Richard-it për muzikën filloi në dyqanin e disqeve të babait të tij dhe u shndërrua në një pasion për Rock-un jugosllav pasi jetoi dhe punoi në Bosnje për disa vjet. Planet e tij për EYRC filluan të realizohen në fillim të vitit 2021. Qendra synon të përfshijë një hapësirë muze dhe ekspozite, një dyqan dhuratash, një hapësirë koncertesh dhe natyrisht, nuk do të ishte një institucion i duhur në Sarajevë pa një kafene.

[8]

Plani është që qendra të zgjerohet duke përfshirë një hapësirë muze dhe ekspozite, një dyqan suveniresh, një hapësirë koncertesh dhe një kafene. Burimi: Faqja në Facebook e Ex-Yu Rock Center, e përdorur me leje.

Ndërsa muzika rock lidhet shpesh me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, shumë argumentojnë se Jugosllavia krijoi artistë që ishin në të njëjtin nivel me homologët e tyre perëndimorë. Një nga grupet më me ndikim dhe më të suksesshëm në rajon, Bijelo Dugme [9] (Kopsa e Bardhë), e ka origjinën në Sarajevë dhe ka perfeksionuar punën e tij me Abbey Road Studios. Në shumë mënyra, përzierja e instrumenteve dhe vokaleve klasike rock and roll me melodi tradicionale nga rajoni i Ballkanit Perëndimor krijoi një stil autentik muzikor.

Muzika para kombësisë

Shumë nga grupet më të njohura të rock-ut të Jugosllavisë e kanë origjinën në Sarajevë, duke e bërë atë një vend ideal për EYRC. Megjithatë, hapësira muzeale e EYRC-së nuk do të kujtonte vetëm grupet që erdhën nga territori i Bosnjë-Hercegovinës. Për shembull, Majke [10] (Nënat), një nga grupet e preferuara të Richard nga ish-Jugosllavia, vjen nga Kroacia dhe ka të ngjarë të shfaqet në qendër. Ndërsa të gjitha grupet e paraqitura kanë historitë dhe stilet e tyre unike, EYRC i jep përparësi muzikës para kombësisë. Qofshin serbë, malazezë, boshnjakë, kroatë, sllovenë, kosovarë apo maqedonas, këto grupe konsiderohen fillimisht artistë dhe më pas të ish federatës jugosllave.

Projekti jo vetëm që ofron një mundësi të mirë për publikun për të eksploruar këtë muzikë, por është gjithashtu një mundësi për qytetin e Sarajevës që të zgjerojë muzeumet. Për momentin, shumica e muzeve në këtë kryeqytet fokusohen në luftëra dhe konflikte të ndryshme. Ndërsa janë të domosdoshëm, ata krijojnë ndjenjën se lufta është tipari përcaktues i kulturës, gjë që është larg së vërtetës. Prandaj, projektet që synojnë të nderojnë aspektet kulturore të qytetit dhe historinë e tij janë të nevojshme për të krijuar një imazh më të saktë për turistët që mund të mos kuptojnë nuancat e historisë së Sarajevës dhe të gjitha epokave të saj kulturore.

Një shembull i një projekti të ngjashëm është Shtëpia e Artit Sevdah [11], e cila fokusohet në një lloj muzike të veçantë popullore boshnjake të quajtur Sevdalinka [12]. Kjo kafene dhe muze nderon traditën muzikore shekullore që filloi të bëhej shumë e njohur rreth fillimit të viteve 1900.

EYRC synon të bëhet një atraksion në këtë drejtim. “Jo vetëm që do t'u ofrojë të huajve që vizitojnë Sarajevën një mundësi unike për t'u zhytur në muzikën jugosllave, por gjithashtu do t'u mundësojë njerëzve nga i gjithë rajoni të përqafojnë kulturën në një mjedis më neutral dhe pozitiv,” tha Richard, duke theksuar se kremtimi i rokut jugosllav feston historinë multikulturore të Sarajevës.

EYRC synon gjithashtu të tërheqë artistë të rinj dhe t'i nxisë ata të ndajnë muzikën e tyre me vendasit dhe të huajt. “Ky është vendi ku hapësira e koncerteve do të luajë një rol kryesor në qendër, sepse do të lejojë artistët në të gjithë rajonin, të cilët mund të jenë frymëzuar nga grupet legjendare të shfaqura në ekspozita, të ndajnë punën e tyre. Duke nderuar të kaluarën, njerëzit janë në gjendje të ecin përpara dhe të zhvillojnë stile të reja autentike, ashtu siç kanë bërë artistët e guximshëm gjatë historisë,” shtoi Richard.

“Shihemi në hapje”

Njerëzit që adhurojnë muzikën rock and roll të ish-Jugosllavisë kanë qenë jashtëzakonisht entuziastë për idenë e Will Richard. Dragan “Điđi” Jankelić, ish-bateristi i Bijelo Dugme, tha, “ideja e një muzeu rock në Sarajevë është një ide e vërtetë mahnitëse dhe unë e mbështes atë me gjithë zemër dhe shpirt! Do të doja tu shihja të gjithëve atje në ceremoninë e hapjes. Shihemi atje!”

Dino Šaran, këngëtari kryesor i grupit Letu Štuke [13], deklaroi në një intervistë të fundit me Richard se ai është gjithashtu në mbështetje të plotë të projektit dhe i gatshëm të kontaktojë me çdo artist tjetër që do të ishte me interes për qendrën. Por në këtë intervistë, Sharan vuri në dukje një vështirësi të madhe me të cilën do të përballet qendra: ndarjen e artit nga artisti. Ndërsa mund t'i adhurojë albumet e rock-ut jugosllav nga artistët para luftës, ai pranon se artistët janë ende përgjegjës për veprimet ose retorikën e tyre nacionaliste gjatë dhe pas rënies së Jugosllavisë.

Të ecësh në këtë vijë të hollë midis vlerësimit të artit dhe njohjes së polemikës së artistëve individualë është një pjesë e vështirë, por e domosdoshme e rrugës përpara, të cilën EYRC e kupton se duhet të trajtohet me kujdes dhe përsëri, me synimin për të vënë muzikën në vend të parë.

Këto çështje të diskutueshme politikisht paraqesin pengesa të dukshme, pasi shpesh ofrohen më pak financime për projektet që nuk promovojnë drejtpërdrejt pajtimin ose përkujtimin, siç mund ta bënte një muze lufte. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar EYRC-në të marrë mbështetje ndërkombëtare. Centar za promociju civilnog društva [14] (Qendra për Promovimin e Shoqërive Civile ose CPCD), AMUS, UNESCO dhe organizata të tjera tashmë e kanë sponsorizuar dhe miratuar këtë projekt.

“Ky është vetëm fillimi, por EYRC ka treguar tashmë vlerën e misionit të saj,” tha Richard.

Për çdo artist, producent, drejtues, promovues, fotograf, gazetar dhe fans që dëshiron të dhurojë ose huazojë çdo foto origjinale/autentike, postera, regjistrime, instrumente, veshje, dokumente, regjistrime të rralla ose sende të tjera që mund të jenë me vlerë në qendër, ju lutemi kontaktoni drejtpërdrejt EYRC-në. Mund të kontaktoni info@ex-yurock.com ose telefononi +387 62 332 770 ose +381 63 386 451.

Për të dëgjuar muzikë rock ish-jugosllave dhe për të kujtuar diversitetin e saj, shikoni listën ExYu të Spotify të ekipit Balkan Diskurs më poshtë. Për më shumë muzikë si kjo nga e gjithë bota, shihni selektimet e Spotify të Global Voices [15].