- Global Voices në Shqip - https://sq.globalvoices.org -

Marrëdhëniet mes Suedisë dhe Turqisë u përkeqësuan pasi politikani i ekstremit të djathtë dogji Kuranin

Kategoritë: Europa Perëndimore, Lindja e Mesme e Afrika Veriore, Finlanda, Suedia, Turqia, Liria e fjalës, Lufta e konflikti, Marrëdhëniet ndërkombëtare, Media e qytetarëve, Politika, Protesta, Qeverisja

Marrëdhëniet diplomatike [3] mes Turqisë dhe Suedisë janë ftohur pasi politikani i ekstremit të djathtë danezo-suedez, Rasmus Paludan, dogji një Kuran [4] jashtë ambasadës turke në Stokholm më 21 janar. Dënimi nga Turqia ishte i shpejtë. Po ashtu pati një deklaratë [5] nga zyra e kryeministrit duke e cilësuar aktin, si “mosrespektim”. Por përçarja mbetet.

Ankaraja u tërhoq [6] nga një takim i ardhshëm në Bruksel midis Suedisë, Finlandës dhe Turqisë në shkurt, i cili kishte për qëllim të zgjidhte ngecjen diplomatike [6] mbi kërkesën e Finlandës dhe Suedisë për t'u bashkuar me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO). Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Suedia dhe Finlanda njoftuan vendimin e tyre për t'u anëtarësuar në NATO. Megjithatë, vendimi duhet të miratohet nga të 30 vendet anëtare. Turqia, një anëtare e NATO-s, tha vitin e kaluar [7] se nëse të dy vendet nuk i plotësojnë kërkesat e saj, ajo nuk do ta miratojë [7], “duke përmendur historinë e tyre të pritjes së anëtarëve të grupeve militante kurde dhe pezullimin nga Suedia të shitjeve të armëve në Turqi që nga viti 2019 për shkak të operacionit ushtarak të Ankarasë në Siri”, sipas [8] The Guardian. Përveç Turqisë, edhe Hungaria vuri veton [6] ndaj vendimit për anëtarësimin e dy vendeve në aleancë. Ndërkohë, Finlanda bëri të ditur [9] se do t'i bashkohej aleancës pa Suedinë nëse përçarja vazhdon.

Turqia tha gjithashtu se anuloi [10] vizitën e ardhshme të 27 janarit nga shefi i mbrojtjes suedeze me arsyetimin se takimi nuk ishte më i rëndësishëm. Duke folur në një konferencë për shtyp, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan tha [11] se në mungesë respekti ndaj myslimanëve dhe Turqisë, “[Suedia] nuk do të shohë asnjë mbështetje nga ne për çështjen e NATO-s.” Duke i bërë jehonë fjalëve të presidentit, një deklaratë [12] e lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë, e përshkroi aktin si “të poshtër” dhe “të papranueshëm”. “Ky akt i neveritshëm është një shembull tjetër i nivelit alarmues që ka arritur islamofobia dhe lëvizjet raciste dhe diskriminuese në Evropë”, thuhet [12] në deklaratë.

Pas djegies së Kuranit në Stokholm, një sërë protestash u mbajtën [13] jashtë Konsullatës së Përgjithshme Suedeze në Stamboll, ku pjesëmarrësit dogjën flamurin suedez dhe brohoritën parulla kundër Suedisë. Një tabelë e varur [14] në dritaren e konsullatës ku shkruhej: “Ne nuk ndajmë pikëpamjen e idiotit që djegj libra” nuk ndihmoi për të qetësuar tensionet. Më 25 janar, një burrë u arrestua jashtë ndërtesës së konsullatës në Stamboll pasi kishte drejtuar një armë. Ndërkohë, Diyanet [15], organi më i lartë fetar i Turqisë, tha [16] se do të kërkojë veprime ligjore për djegien e librit të shenjtë. “Ne do të ngremë zërin tonë jo vetëm kundër djegies së urryer të Kuranit në Suedi, por edhe kundër sulmeve islamofobike në vendet evropiane”, tha [16] Ali Erbaş, drejtori i organit.

Shumë [17] kombe të tjera myslimane [18] kanë dënuar [19] djegien e librit të shenjtë. Disa kanë bërë thirrje për të bojkotuar [20] mallrat suedeze [21], ndërsa të tjerë për mbylljen [22] e misioneve diplomatike suedeze.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price ofroi një qëndrim të ndryshëm mbi ngjarjet. Në një konferencë për shtyp, Price tha [23] se “fakt është se ky ishte një individ privat, një provokator, dikush që mund të ketë kërkuar qëllimisht të vendosë distancë midis dy partnerëve tanë të ngushtë – Turqisë dhe Suedisë. Ai mund të ketë kërkuar qëllimisht të ketë ndikim në diskutimet e vazhdueshme në lidhje me pranimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO”.

Karikatura e ditës

Menjëherë pas incidentit, në media u shfaqën [26] pretendimet se gazetari suedez Chang Frick ishte personi pas aktit të Paludan. Frick tha në një postim [27] në Twitter, se ai u përpoq të bindte Paludan që të mos e digjte librin. Në një intervistë [28] me platformën e gazetarisë hulumtuese Insider.ru, Frick, i cili është gjithashtu ish-bashkëpunëtor [29] i organit të Russia Today, Ruptly, tha edhe pse pagoi për lejen për të mbajtur protestën, “ai nuk i kërkoi askujt të digjte tekstin fetar.” Në një intervistë [30] tjetër me median suedeze SVT, Frick tha [30] se akti kishte të bënte me lirinë e shprehjes, “Kjo ka të bëjë me lirinë e shprehjes. A duhet të kufizojmë lirinë tonë të demonstrimit dhe të fjalës për shkak të një fuqie të huaj? Nëse nuk kemi mendim të lirë, ju mund të mbyllni median e lirë.”

Kjo nuk ishte hera e parë [31] që Paludan, i cili gjithashtu ka nënshtetësi suedeze, djeg Kuranin në një demonstratë. Ai u dënua [32] gjithashtu për racizëm në vitin 2021, megjithëse nuk bëri kurrë burg.

Djegia e Kuranit nga Paludan pasoi një tjetër incident që ndodhi më 12 janar, në të cilin protestuesit varën [33] një statujë të presidentit turk nga një shtyllë jashtë bashkisë së Stokholmit. Pas incidentit, Turqia shprehu pakënaqësinë [34] e saj për vendimin e qeverisë suedeze për të mos hetuar më tej autorët. Fakti që protestat u organizuan nga një grup i lidhur me Partinë e Punëtorëve Kurdë (PKK), e cila njihet si organizatë terroriste në Turqi dhe nga aleatët e saj perëndimorë, përfshirë SHBA-në dhe BE-në, e bëri incidentin edhe më personal për Turqinë.

Por arsyeja e vërtetë pas vendimit të Turqisë për të bllokuar ofertën e Suedisë për t'u anëtarësuar në NATO nuk i ka rrënjët as në protestë dhe as në djegien e Kuranit. Sipas [35] gazetarit dhe studiuesit Guney Yildiz, “vendimi për të vonuar ose bllokuar anëtarësimin suedez dhe finlandez nuk buron nga protestat kundër Turqisë ose anti-Erdoğan në Stokholm ose djegia e një kopje të Kuranit nga një politikan i ekstremit të djathtë. Parandalimi nga Ankaraja (i Finlandës dhe Suedisë) është një veprim taktik që synon të balancojë marrëdhëniet e saj me Rusinë dhe ta përdorë atë si levë kundër Perëndimit për të përfituar lëshime.” Përndryshe, Turqia do të tërhiqej nga NATO si një çështje parimore, duke pasur parasysh ndjenjat e përhapura anti-Erdogan dhe anti-Turqi në vende të tjera, përfshirë SHBA-në, Gjermaninë dhe Francën, shkruan Yildiz.

Në një diskutim [36] të kohëve të fundit në Medyascope, Ömer Taşpınar, një anëtar i lartë jorezident në Qendrën e Institutit Brookings për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, tha se Turqia është më e interesuar për një vend në një tryezë me administratën Biden dhe duke ditur nëse marrëdhëniet midis të dyve vendet do të përmirësohen. Anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës po përdoret si pazar në duart e Turqisë, të cilin ajo tani e ka shtyrë për pas zgjedhjeve. “Në mendjen e tij, [Presidenti] Erdogan mendon se rëndësia strategjike e Turqisë është rritur [pas pushtimit rus të Ukrainës] dhe se Perëndimi ka nevojë për Turqinë në këtë fazë,” shpjegoi Taşpınar. Duke folur në të njëjtin emision, drejtori i programit të Turqisë [37] të Institutit të Lindjes së Mesme dhe një bashkëpunëtor i lartë për Nismën Frontier Europe [38], Gönül Tol, tha se Turqia si një vend i “fuqisë së mesme”, po “përdor tensionet midis fuqive më të mëdha për të hapur një rrugë. Për manovrat e veta. Pra, duke vënë Rusinë dhe NATO-n kundër njëra-tjetrës, Erdogan krijoi një hapësirë manovrimi në arenën ndërkombëtare.”

Të tjerë i shohin [39] tensionet e fundit diplomatike si “një përpjekje për të larguar vëmendjen e votuesve nga një krizë e kostos së jetesës dhe për të projektuar një imazh si një burrë shteti ndërkombëtar”, përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 14 majit [40], siç përshkruhet nga Reuters. Sinan Ulgen, një ish-diplomat turk, është dakord [41]. Në artikullin e tij për Project Syndicate, Ulgen shkroi: “Duke dalë publikisht me kundërshtimin e tij ndaj kërkesave finlandeze dhe suedeze, në vend që të zgjedhë diplomaci të qetë, Erdogan shpreson se çështja do të ndihmojë në konsolidimin e mbështetjes së tij publike” përpara zgjedhjeve.

Ndër ata që mendojnë se Erdogan po luan për një audiencë vendore përpara votimit të përgjithshëm është deputeti lituanez Laurynas Kasčiūnas, kryetar i Komisionit parlamentar për Sigurinë Kombëtare dhe Mbrojtjen. Kasčiūnas pret [42] që Suedia dhe Finlanda të bashkohen me NATO-n përpara samitit të ardhshëm të aleancës në Vilnius në korrik, por pas zgjedhjeve në Turqi. Ministri i Jashtëm finlandez Pekka Haavisto gjithashtu pret një vendim [43] pas zgjedhjeve. Tani për tani, negociatat janë pezulluar dhe vetëm koha do të tregojë nëse qëndrimi kundër zgjerimit të NATO-s nga Turqia u shkaktua me të vërtetë nga ndjenjat anti-islamike, apo thjesht stresi parazgjedhor dhe manovrat strategjike.