Rusia: Lufta, propaganda, Perëndimi

Ilustrim nga Global Voices që paraqet një protestë ruse kundër luftës

Ky artikull është pjesë e buletinit të Observatorit të Mediave Qytetare, Undertones, të Global Voices. Studiuesit rusë reflektojnë mbi ekosistemet mediatike të vendit të tyre dhe atë që mund të presim në vitin 2023. Sa herë që klikoni mbi një narrativë, do të keni mundësi të shihni më shumë analiza dhe postime të lidhura mediatike që e mbështesin atë. Abonohu në Undertones.

Jetët e ukrainasve ndryshuan përgjithmonë më 24 shkurt 2022, kur regjimi i Putinit pushtoi Ukrainën. Në anën tjetër të kufirit, propaganda shtetërore ruse u përshkallëzua, media e pavarur u mbyll dhe disidenca kundër luftës u shtyp me dhunë. Në vitin 2023, studiuesit presin që rusët kundër luftës të pyesin gjithnjë e më shumë se si Rusia arriti në këtë pikë.

Kontrolli i shtetit mbi narrativat

Ne i kemi ndjekur nga afër narrativat shtetërore ruse nga para pushtimit, kur aktorët shtetërorë thanë se tensionet midis dy vendeve ishin shpikur nga Perëndimi. Që kur shpërtheu lufta, narrativat shtetërore janë forcuar dhe studiuesit tanë presin që ato të zhvillohen edhe më shumë në vitin 2023.

Rusia ka përdorur narrativa të ndryshme për të justifikuar luftën kundër Ukrainës. Një argument, i cili është dobësuar muajt e fundit, është se Rusia po angazhohet në “denazifikimin” e Ukrainës për të mirën e njerëzimit. Rusia gjithashtu ka fajësuar Ukrainën për organizimin e masakrave të veta, duke shkuar deri aty ku pretendon se Ukraina do të ishte gati të bombardonte veten me një armë bërthamore “të pistë” vetëm për të fajësuar Rusinë për të.

Rrëfimi më popullor e justifikon luftën në bazë të vetëmbrojtjes. Shteti rus pretendon se Perëndimi dhe veçanërisht NATO, po planifikonin një sulm të armatosur kundër Rusisë përmes Ukrainës dhe për këtë arsye një sulm parandalues ishte i nevojshëm. Narrativa përmblidhet si “ukrainasit dhe Perëndimi po planifikonin të dëmtonin Rusinë së pari, kështu që Rusia u detyrua të nisë operacionin ushtarak” dhe ka marrë rëndësi të veçantë që kur Perëndimi filloi t'i siguronte armë Ukrainës.

Këto tregime nuk kanë mbirë nga askund. Vitet e propagandës qeveritare e kanë përgatitur popullsinë ruse për të nxirë Perëndimin. Disa nga këto janë një shprehje e krenarisë së Rusisë për të ndihmuar në mposhtjen e regjimeve naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Çfarë thuhet në rrjetet sociale 

Që nga lufta në Ukrainë, shteti rus ka bllokuar Facebook, Instagram, Twitter dhe 200,000 faqe interneti, të cilat tani janë të aksesueshme vetëm me VPN. Shumë qytetarë rusë kanë mbetur vetëm me narrativat e lartpërmendura propagandistike të shpërndara në media dhe rrjete sociale të sanksionuara nga shteti si Telegram dhe Vkontakte. Ajo që thuhet për luftën, pra, mund të ndryshojë në mënyrë drastike në varësi të faktit nëse jeni duke parë Facebook ose VKontakte.

Është e vështirë të dihet se sa rusë janë pro ose kundër luftës për shkak të shtypjes së ashpër të opinioneve të kundërta. Me analizën tonë të të dhënave, ne kemi prekur kanalet e medias, kemi zbërthyer mbi 250 artikuj të medias ruse që ilustrojnë perceptimet lokale dhe kemi hetuar narrativat në lojë.

Shumica e përmbajtjeve kundër luftës gjenden në Facebook, Twitter dhe Youtube, ndërsa Instagram dhe Telegram janë të polarizuara. Shumë rusë që postojnë përmbajtje kundër luftës janë jashtë vendit. Ndonjëherë, ata ankohen për faktin se rusët nuk mund ta rrëzonin Putinin para kohe (“Çdo rus mban përgjegjësi për luftën me Ukrainën“), herë të tjera ata i quajnë mbështetësit e Putinit “zombi” të cilët mashtrohen dhe keqinformohen nga propaganda (“Rusët pro-luftës janë injorantë dhe të verbër”). Shumë kanë filluar të pyesin se çfarë do të thotë të jesh rus.

Rezistenca ruse kundër luftës është e lidhur fort me lëvizjet e decentralizuara aktiviste në bazë, siç është lëvizja feministe ruse. Veprimet kundër luftës kanë vazhduar brenda vendit, pavarësisht nga rreziqet. “Grupet kundër luftës janë ende të decentralizuara, i vetmi vend ku mund të centralizohen është burgu,” thotë studiuesi ynë.

Shumë tregime pro luftës mund të gjenden në VKontakte-n shtetërore. Ato përfshijnë sa vijon: “Rusët duhet të jenë krenarë për kombin e tyre dhe për veten e tyre” dhe “Dështimi për të mbështetur qeverinë ruse në luftën kundër Ukrainës është një akt tradhtie“.

Thirrja e Putinit për mobilizim për të forcuar ushtrinë ruse në shtator 2022 polarizoi më tej vendin. Këtu, narrativat u ndanë gjithashtu në dysh, me njërën anë: “Rusët nuk duhet të kenë frikë nga rekrutimi në ushtri” dhe nga ana tjetër, “Rusët duhet t'i rezistojnë thirrjes për të luftuar në Ukrainë“.

Perëndimi është përbuzur nga të dyja palët 

Shteti rus dhe mbështetësit e tij argumentojnë se NATO, e cila përfshin Shtetet e Bashkuara dhe shumë anëtarë evropianë, është një armik që kërkon të sulmojë Rusinë, siç supozohet të provohet nga furnizimi i tyre me armë në Ukrainë. Rusët kundër luftës shprehin keqardhje për mungesën e mbështetjes nga Perëndimi për aktivistët anti-Putin dhe shitjet evropiane të armëve në Rusi deri në vitin 2021.

Në vitin 2022, ka pasur hetime se Nokia finlandeze shiti pajisje për të monitoruar protestuesit dhe se Sandvine me qendër në SHBA pajisi shtetin rus me teknologji të censurimit të internetit. Rusët janë ankuar gjithashtu se përmendja e ndalimit të furnizimit me gaz lotsjellës dhe goditjet me gaz lotsjellës u përfshinë vetëm në paketën e nëntë të sanksioneve të Bashkimit Evropian në dhjetor 2022.

“Për ironi, si propaganduesit ashtu edhe rusët kundër luftës janë të pakënaqur me Perëndimin,” thotë studiuesi ynë.

Rusët kundër luftës kritikojnë “hipokrizinë” e Perëndimit duke deklaruar se “Vendet perëndimore nuk e mbështetën kurrë në mënyrë të prekshme lëvizjen pro-demokratike të Rusisë” dhe se “vendet e BE-së mbështetën Putinin dhe regjimin rus“. Nuk duket se popullariteti i Perëndimit do të përmirësohet së shpejti.

Narrativa të tjera të rëndësishme ruse: 

Nis komentet

Autorë, ju lutem hyr »

Rregullat

  • Të gjitha komentet lexohen nga moderatori. Mos dërgo të njëjtin koment më shumë se një herë pasi mund të konsiderohet spam.
  • Respekto të tjerët. Komentet me gjuhë urrejtjeje, të pahijshme dhe sulme personale nuk do të miratohen.